top of page
Search

Iva Mera: Babai nuk donte të merresha me art

  • Writer: peshkopidiberalbania
    peshkopidiberalbania
  • Sep 30, 2014
  • 4 min read

Bisedoi: Sashenka Ndreka

iva mera 1 (1).jpg

Iva Merës nuk i ndahet pas emri i babait. Dialekti dibran ka ndikuar në sukseset e Behar Merës, ndërsa për të bijën ka qenë një kujtim i largët fëmijërie.

Iva është larguar nga Dibra që në moshën 6-vjeçare. Ajo ka studiuar për gjermanisht, ndërsa arsimin e lartë e ka kryer për shkenca politike, dhe më pas ka një master në shkencat e komunikimit. Dikur ka bërë modelen, por karrierën në televizion e ka nisur nga Perform Fest, dhe më vonë në Klan dhe Vizion Plus.

Ndërsa një nga momentet më të suksesshme ka qenë bashkëpunimi me Zana Çelën, që e sollën Ivën si një prezantuese model dhe me plot sharm dhe pasion për punën.

Iva Mera mbahet mend si vajza bukuroshe e spotit për turizmin në CNN në vitin 2009, dhe në këtë fillim viti si zëdhënësja plot sharm e klubit sportiv Tirana.

Tani drejton edhe një emision për kuzhinën në një nga televizionet qendrore, ndërsa në një intervistë ekskluzive për gazetën “Rruga e Arbërit” dhe portalin online “Peshkopi, Dibër, Albania” nuk ngurron të nxjerrë pak sekrete të karrierës së saj, “kontradiktat” me të atin, planet për të ardhmen dhe sidomos lidhjen me Dibrën.

* * *

- Jeni një person publik. Ishte zgjedhja juaj që në fillim apo shtysa e babait?

- Përshëndetje dhe faleminderit për intervistën tuaj! Orientimi im drejt botës së bukur të televizionit ka ardhur krejt natyrshëm nga dëshira ime personale! E mbaj mend veten të vogël kur dilja para pasqyrës dhe këndoja e prezantoja me gjithë vrull derisa mami me merrte me zor e më ulte në librat e shkollës! Babi, edhe pse në botën e artit, nuk ka dashur asnjëherë të më shihte në fushën e artit, madje shumë herë është bërë dhe pengesë për iniciativat e mia!

iva mera 3.jpg

- Si ka ndikuar në jetën tuaj fakti i të qenit bija e një artisti të njohur?

- Të jesh fëmija i një prindi, i cili është person publik, pavarësisht profesionit, ka avantazhet dhe disavantazhet e veta! Mos harro që je në vëmendje edhe kur e harron këtë fakt! Nuk mund të mohoj faktin që ndihesh e përkëdhelur nga fakti që babin tënd e njeh publiku dhe të mbushet zemra me gëzim për këtë gjë, por shumë herë do të doje të kaloje rrugën dhe pa u vënë re ose pa u cilësuar si vajza e Beharit!

- Nuk e keni mohuar asnjëherë prejardhjen tuaj. Çfarë mbani mend nga Dibra?

- Nuk e kam mohuar dhe kurrë s’do ta mohoj prejardhjen time! Dibra, një origjinë me të cilën nuk krenohem vetëm unë, por edhe emra të njohur dhe të nderuar! Ajo, Dibra, më dhuroi mua dhe familjes time disa vlera karakteristike. Unë jam larguar 5-6 vjeç dhe mbaj mend shumë pak . Por me kalimin e viteve kam shkuar dhe e kam vizituat vendin tim të lindjes, duke kujtuar ato rrugicat e lagjes ku unë u rrita, kopshtin tim, shtëpinë e gjyshes apo dhe atë markaton e madhe ku ikja me qejf për të blerë kasata. Mbaj mend njëherë që ka rënë shumë dëborë dhe bashkë me shoqet e pallatit nisem të rrëshkisnim deri në orët e vona të pasdites! E kujtoj këtë ditë sepse me ka rrahur mami aq shumë sa akoma dhe sot më dhemb!

- Babai juaj flet gjithmonë në dialektin dibran. A e ka trashëguar dhe tek ju?

Unë, në fakt, përpiqem ndonjëherë të kujtoj disa fjalë të cilat më shijojnë t’i them në dialektin dibran. Për shkak të moshës së vogël të largimit tim nga Dibra, u rrita me gjuhën letrare dhe s’mund të them që jam mjeshtre e dialektit dibran, por disa fjalë nuk i kam harruar, oj cuc ....

iva mera 2 (1).jpg

- Ju kemi pare të eksperimentoni në fusha të ndryshme: në sport, gatim, emisione rinore. Ku e keni gjetur më shumë veten?

- Aty ku se kam gjetur veten janë pikërisht emisionet rinore, që flasim për gossip apo modë! Nuk e di pse, kurrë s’jam ndier rehat me një format të tillë! Te projekti im i fundit përpiqem të bëhem njësh me emisionin, pasi është praktik dhe popullor, ashtu siç mua më pëlqen! Por, nuk mund të lë pa përmendur përvojën më të bukur që kam pasur me fëmijët në Performfest, projekt i Zana Çelës, ku kam kujtimet më të bukura!

- Aktualisht po drejtoni një emision gatimi? Sa e mirë je në kuzhinë?

- Në kuzhinë jam shumë e mirë, edhe pse s’do më besonit! Kam defektin që jam pak dorëlëshuar, që do të thotë nuk kursej në atë që gatuaj, por ama të jesh e bindur që për shije marr pikët maksimale!

- A është në planet tuaja afatgjata, angazhimi ne politikë, meqë jeni diplomuar në këtë degë?

- Unë jam diplomuar për shkenca politike dhe master në marrëdhënie me publikun! Po të shohësh, kam një devijim të formimit tim, Dashje pa dashje jam orientuar te komunikimi publik, masmedia. Kjo do të thotë që e shoh veten larg politikës. Duhet të jesh natyrë tjetër të merresh apo të bësh politikë.

- Si do të jetë Iva pas 10 vjetësh?

- Pa hë??? Se edhe unë jam kurioze ta di... Si do të jem unë pas dhjetë vitesh? Uroj të jem mirë me shëndet, si fillim, dhe për një gjë ju siguroj: do të kem ca kilogramë më shumë. Për këtë po, që jam e bindur!

- Me të drejtë keni mbajtur gjithmonë larg jetën private nga mediat. Do të bësh ndonjë përjashtim të vogël për ne?

- Unë mendoj që publiku të sheh dhe të vlerëson për atë çka t’i ofron me punën tënde, që do të thotë tek unë se si prezantoj apo drejtor një format televiziv të caktuar. Nëse të pëlqejnë, shumë shpejt kthehesh në të preferuarën e tyre, nëse jo, nuk harxhojnë më kohën duke të ndjekur ty. Prandaj dhe për mua është shumë me interes të flas për punën, sepse jeta private e gjithsecilit prej nesh nuk do të na interesonte shumë, në rast se kemi tonën në rregull. Diferencën e bën vetë fjala publike dhe private. Publike është për opinion të gjerë ndërsa privatja të përket ty!

 
 
 

Comments


Çfarë mendon - Komento

© 2023 by Success Consulting. Proudly created with Wix.com

  • Wix Facebook page
  • Twitter Classic
  • Google Classic
bottom of page