Vrasje, mjerim dhe të mitur në industrinë minerare në Shqipëri
- peshkopidiberalbania
- Jun 4, 2014
- 6 min read
Ky artikull është shkruar nga gazetari i mirënjohur suedez, Axel Kronholm, për prestigjozen VICE, më 3 qershor 2014.
Vjen i përkthyer në shqip ekskluzivisht për lexuesit e PDA.
* * *
Violeta Koçi është 23 vjeç dhe karroca e saj e dorës sapo u prish. Për pjesën tjetër të ditës ajo do duhet të mbajë thasët me gurë kromi mbi shpinë. Ajo është gjashtë muajshe shtatzënë.
“Mjeku më ka thënë që nuk duhet të punoj, por çfarë zgjidhje tjetër kam?“- pyet ajo.
Për shumë njerëz në Bulqizë - një qytet gri e i pluhurosur, rreth 4 orë me makinë në drejtim të verilindjes nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana – bëhet fjalë thjesht për mbijetesë. Nuk ka shumë mundësi punësimi dhe njerëzit bëjnë çfarëdolloj pune që iu ofrohet. Një mundësi për punë është pikërisht jashtë minierave të kromit të qytetit, në grumbujt e gurëve që janë nxjerrë kur janë hapur tunelë të rinj. Duke kërkuar mes mbetjeve për të zgjdhur kromin, Violeta Koçi dhe punëtorë të tjerë ditorë si ajo, fitojnë 1.80 – 2.40 paund në ditë. Dhe ky është fitimi i një dite të mirë.
“Ne marrim rreth 40 lek për një kile krom që mbledhim”, thotë 8-vjeçari Shpendi Lloshi, i cili është i zënë duke kërkuar nëpër rënojat e mineralit të zi që shkëlqen.
Dikur një qytet minierë në zhvillim, sot Bulqiza qëndron mbi një nga rezervat më të mëdha të kromit në botë. Që kur u hapën për herë të parë në fund vitet ’40, këta miniera kanë nxjerrë rreth 18 milion ton krom, një metal shumë i rëndësishëm për prodhimin e çelikut të pandryshkshëm. Kjo ishte shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare gjatë gjysmë-shekullit të regjimit komunist në vend.
Sot, biznesi nuk është ai që ka qenë më parë, por kompanitë privateende po ekstraktojnë metalin e çmuar, duke gërmuar më thellë në tokë dhe duke hapur galeri të reja. Albkromi, një kompani nën pronësi të oligarkut shqiptar, Saimir Mane, është një punëdhënës i madh në qytet. Përkrah kompanive të mëdha, ka një tjetër industri minierash; një industi informale, që shtrydh përfitime nga grumbuj skorjesh të braktisura dhe grumbujt e nxjerra nga minierat. Këto janë ata për të cilët njerëz si Violeta Koçi dhe Shpendi Lloshi punojnë.
Është e shtunë dhe Shpendi ka që herët në mëngjes që ka ardhur dhe po kërkon sa lart poshtë grumbullit të thepisur të gurëve, duke kthyer e rrotulluar me dorë gurë pas guri. Ç’gurë kap që ka mbetje të mineralit shkon drejt e në qesen e tij të bardhë.
Megjithëse është pasdite e vonë, Shpendi nuk duket i lodhur. Babai i tij Guri, 37 vjeç, është një minator profesionist, i cili punon në thellësi për ekstraktimin e mineralit, por në ditët e tij të pushimit ai zakonosht punon bashkë me të birin 8-vjeçar, Shpendin.
“Jam i shqetësuar për tim bir”, thotë ai dhe fërkon butë flokët në kokën e Shpendit.
Një djalosh tjeter, i cili nuk do ta tregojë emrin, thotë se punon në stoqet e kromit që kur ishte 9 vjeç. Tani ai është 16. Ai duket i veshur shumë me keq se Shpendi: i dobët, me rrathë të zinj poshtë syve dhe me shikim shumë të lodhur.
“Qëndrova në shkollë për ca vite, por pastaj fillova të punoj këtu gjithë ditën që të bëja para”, thotë ai.
Sot veçanërisht, kishte rreth 50 veta që punonin në stoqet e gurëve jahstë minierave. Gati të gjithë nga këta ishin fëmijë, shumë në moshën e Shpendit. Një nga ata, pak më i rritur se të tjerët veshur me një bluzë të kuqe të pluhurosur dhe me një çere të qeshur, nuk e ka një gisht në dorën e tij të djathtë. Aksidentet janë të zakonshme këtu. Dy vjet më parë një djalë i vogël vdiq kur pati një rrëshkitje toke dhe gurët u rrotulluan mbi të duke e zënë poshtë.
Njerëzit për të cilët këta fëmijë punojnë aty njihen si piratë. Ata janë biznesmenë lokalë, që kanë fituar konçensione për të nxjerrë dhe eksportuar kromin. Ata e blejnë mineralin nga fëmijët për lëmoshë dhe e eksportojnë, kryesisht në Kinë. Këta manjatë minierash nuk marrin asnjë përgjegjësi për punëtorët e tyre dhe shpesh janë të përfshirë në aktivitete të tjera biznesi ilegal. Ata kanë edhe konflikte me njëri-tjetrin për kontrollin e biznesit të kromit.
Vetëm para një muaji se të vizitoja unë Bulqizën, një nga piratët e minierës së qytetit u vra. Gjin Nica, 35 vjeç, po drejtonte motorrin e tij Yamaha në periferitë e Tiranës kur iu zu pritë dhe u vra me rrebesh të shtënash. Policia dyshon se arsyeja është rivaliteti mbi biznesin e kromit në Bulqizë. Gjin Nica dyshohej për implikim në vrasjen e dy bisnesmenëve të kromit në Bulqizë; një në janar 2014 dhe nje në shtator 2013. Gjin Nica ishte arrestuar si i akuzuar për falsifikim, por ishte lënë i lirë dy javë para se të vritej.
Në një shtëpi tjetër që vizitova, gruaja e shtëpisë tregoi se si në Bulqizë nuk ka jetë për një grua. Nëse ato nuk punojnë dot duke mbledhur krom, nuk ka asgjë tjetër për ato për të bërë veçse të jenë shtëpiake. “Çdo ditë im shoq shkon në punë në minierë dhe unë nuk e di a do kthehet në mbrëmje në shtëpi, apo jo”, thotë ajo.
Bizneset e dyshimta të minierave të Bulqizës tregojnë dobësinë në zbatimin e ligjit që egziston në Shqipëri. Është shumë e rrallë të shohësh të respektohen të drejtat e punëtorit apo të mbështeten punonjlsit publikë në Tiranë. Për të mos përmendur pastaj fëmijët që punojnë për gangsterë që luftojnë mes tyre në qytetet i braktisur në mes të askundit.
Korrupsioni ështëa i që e mundëson gjithë këtë. Zyrtarët, të cilët iu japin piratëve të minierave koncesione për nxjerrjen e kromit, nuk dalin nga kjo pa shpërblim. Në indeksin e korrupsionit të publikuar nga “Transparency International”, Shqipëria zbriti nga vendi i 95-të në vitin 2011 në vendin e 116-ë vitin që kaloi (2013). Kjo shpjegon shumë mirë se pse kjo pjesë e vrazhdë e ekonomisë mund të gulçasë në vazhdim pa u shqetësuar, vit pas viti.
Varfëria iu jep këtyre bizneseve në këtë ekonomi informale mundësinë të kenë një forcë pune të pashtershme e të volitshme. Të paktën një e teta e popullsisë së Shqipërisë jeton me më pak se 1.2 £ në ditë. E megjithëse qyteti i Bulqizës qëndron mbi një pasuri kaq të bollshme, situata aty nuk është aspak më e mirë.
Në një shtëpi betoni pak më poshtë grumbujve të skorjeve, jeton Nexhmedin Nezha, 42 vjeç, me gruan dhe tre fëmijët, si dhe një familje tjetër që ndajnë hapësirat e banimit me ta. Kur hyn në korridorin e errët të duket sikur po futesh në një bordum. Lagështia pikon, ajri është i rëndë dhe me lagështi. Mikrpitja e Nexhmedin Nezhës është e këndshme dhe e ngrohtë, por me krahët që i dridhen ai nuk mund të më rrokë dorën.
Aksidenti i tij ka ndodhur 20 vite më parë. Ai sapo kish marrë turnin kur miniera u shemb. Ai mbeti aty për tetë orë, pa e ditur nëse do të mbijetonte ose jo. Në fund, ai u shpëtua, por që atëherë ai vuan nga simptoma ankthi dhe stresi post-traumatik, dhe që atëherë nuk ka mundur të kthehet më në punë. Nexhmedin Nezha ka punuar për një nga kompanitë e mëdha të minierave – jo piratët – dhe prandaj ka të paktën pensionin për të jetuar. Por ai është shumë pak. Mjekimet e tij, që e ruajnë nga krizat histerike, kushtojnë rreth 14 £ çdo muaj. Pensioni i tij mujor është vetëm 78 £. Në mënyrë që familja të mbijetojë, dy fëmijët e tyre duhet të dalin të punojnë duke mbledhur krom bashkë me fëmijët e tjerë pranë shtëpisë së tyre. Ashtu si Shpendi Lloshi, asnjë nga ata nuk është ende adoleshent.
Shumë familje janë në të njëjtën situatë. Sipas Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, 88 minatorë kanë vdekur gjatë punës vetëm në pesë vitet e fundit. Shumë të tjerë janë lënduar rëndë apo edhe janë gjymtuar. Askush nuk e di se sa vdekje e dëmtime të tjera ndodhin në industrinë informale të minierave. Por as kjo nuk i ka ndaluar fëmijët e Nexhmedin Nezhës dhe shumë të tjerë për të shkuar të punojnë atje.
***
Përktheu: E. Saraçi
Comments