Dëfrim Methasani: Profesioni i gazetarit – një mundësi për të njohur njerëzit
- peshkopidiberalbania
- Aug 9, 2014
- 9 min read
Sporti në Shqipëri dhe kudo, ka lidhje me ekonominë dhe financat. Një sport i suksesshëm nuk mund të bëhet vetëm me dëshirë apo pasion, por do mbështetje financiare. Para disa vitesh mora nismën dhe mblodha 20 biznesmenë dibranë në Tiranë, vendosëm edhe piketat e bashkëpunimit, por kjo “flakë” u shua shpejt për fat të keq. Ndoshta është koha dhe vendi për t’u bërë tani, sepse po shuhet tradita e bukur sportive në Dibër...
Përmes rastit të Ambrës, përmes dhimbjes, gjeta shumë humanistë, njerëz të panjohur që m’u bënë familjarë, gjeta një popull që na mbështeti dhe një komb si Gjermania që vuri dorën në zemër, mësova shumë për Dibrën, që ishte pararoja, Shkodrën, Dibrën e Madhe, Tiranën, Durrësin, gjithë Shqipërinë… Gjej rastin t’ju shpreh mirënjohjen time të madhe të gjithë atyre që na kanë ndihmuar dhe na kanë lehtësuar këtë dhimbje dhe uroj që Ambra të rikthehet sa më shpejt fituese…
Bisedoi: SASHENKA NDREKA
Ju jeni një gazetar sportiv i njohur dhe me përvojë. A e mbani mend lajmin e parë sportiv të përcjellë për publikun?
Natyrisht që e mbaj mend, sepse ka një ditëlindje të një profesioni dhe pasioni të jetës sime.
Në gazetën “Ushtima e Maleve” që ishte asokohe, kam shkruar për një ndeshje futbolli për ekipin e Korabit, që fitonte me Labinotin e Elbasanit për Kupën e Shqipërisë, me shifrat 3 - 2. Kam qenë nxënës në shkollën e mesme dhe kam ndjerë një kënaqësi të jashtëzakonshme kur kam parë emrin tim në faqen e fundit të gazetës, aty ku jepeshin lajmet sportive. Toska shënoi tre gola dhe fituam me skuadrën kampione të fazës së parë në kategorinë e parë në atë vit, ndërsa “Korabi” ishte në kategorinë e dytë. Toska ka bërë disa gola spektakolarë, që i kam akoma në mendje, madje njërin me goditje dënimi jashtë zone dhe fusha ishte me dëborë. E mblodhi dëborën dhe e bëri pak si kodër, vuri topin e goditi dhe trekëndësh. Gogunja atë sezon ishte portieri më i mirë në Shqipëri, por u dorëzua dhe u detyrua t‘i jepte dorën mjeshtrit dibran. Pastaj lajmin e parë televiziv e kam bërë në shtator të vitit 1983.
Ndërsa në televizion, pas një konkursi që u bë me disa prej bashkëpunëtorëve sportivë në shtator 1993, unë dola fitues me kronikën e ndeshjes, Labinoti – Partizani, me dy gola që i kam edhe sot në mendje: të Branicës dhe Agalliut dhe ky takim doli barazim 1-1. ...Kujtesa më ndihmon të sjell përgjigje të tilla edhe sot, kur kanë kaluar kaq shumë vite.
Pas përfundimit të Shkollës së Lartë të Fizkulturës, keni punuar si mësues në disa fshatra të Dibrës, si Lurë, Fushë-Çidhën e Kastriot, ku keni organizuar shpesh veprimtari sportive për të rinjtë. Si i kujtoni ato vite dhe si ka ndikuar karriera juaj në arsim për atë që do të vinte më pas?
Më rizgjove kujtime të kahershme dhe mjaft mbresëlënëse. Kam punuar shtatë vjet mësues në disa prej shkollat më me emër në Dibër, si në Lurë, Lunare, Sllovë, Sohodoll, Fushë – Çidhën dhe Blliçe.
Pasioni im ishte i madh në ato vite dhe nuk ngopesha së punuari dhe organizuari në orën e edukimit fizik, por më së shumti jashtë saj, pasditeve apo në orët e lira. Në Lurë ishte fillimi dhe aty vendosa
bazat profesionale edhe pse isha një djalë shumë i ri. Por nuk e harroj kurrë bashkëpunimin dhe afinitetin që kolegët atje më ofruan, por edhe miqësia dhe raportet që vendosëm me nxënësit. Ky takt
dhe kjo mënyrë pune u trashëgua edhe në shkollat e tjera ku punova, veçmas në Fushë-Çidhën, ku ndenja më gjatë.
Aty ndërtova edhe një terren të mirë sportiv dhe mbaj mend që u dekorova me titullin: “Mësues i dalluar“. Fituam shumë spartakiada dhe turne sportivë, organizuam për herë të parë festivalin e lojërave popullore, si dhe mjaft veprimtari të bukura, duke shpallur shumë fitues e kampionë lokalë.
Respekt për të gjithë ata nxënës, mësues e drejtues që më ndihmuan për të arritur në ato nivele, sepse atëherë ishte sa e lehtë, aq edhe e vështirë.
Çfarë ju bëri që t’i jepnit duart punës së mësuesit dhe të merreshit me raportimin mbi lajmet sportive? Kur e keni kuptuar se gazetaria sportive ishte ajo çka duhet të bënit?

Pasioni im ishte që fëmijë për gazetarinë sportive. Unë vetë jam marrë me sport me ekipet e Korabit të Peshkopisë, si në futboll, basketboll, atletikë etj. Por kuptova që niveli im nuk e kalonte dot atë mesatar. Ndërkaq që angazhimi në vitet e shkollës së mesme ishte edhe me veprimtaritë kulturore. Imitimi sportiv, ose më mirë të themi komenti sportiv, më pëlqente jashtë mase. Imitoja në shumë aktivitete të ndryshme, komentatorin e madh te Radio- Tiranës, Ismet Bellova edhe ky nga Dibra. Pashë që kisha sukses sa herë dilja para publikut. Atëherë vendosa të bëhesha edhe unë i tillë. Pas vitit ‘91 vij në Tiranë dhe fillimisht bashkëpunova me Radio-Tiranën, me gazetarin Ahmet Shqarri, që drejtonte rubrikën sportive në Radio.
Më pas, kalova në televizion, duke nisur kështu që nga viti 1993, bashkëpunimin me TVSH, në rubrikën sportive e më pas në shumë programe të tjera të këtij ekrani. Kjo ishte ura ndarëse mes mësuesit pasionant dhe gazetarit po të tillë...
Si mund ta përshkruani marrëdhënien që keni me sportin? Cili sport ju jep më shumë emocion?

Futbolli mbetet si zakonisht kryesor në punën tonë, pasi edhe raporti i këtij sporti me njerëzit është parësor në vendin tonë. Çdo javë duhet të përcjellim kronikat dhe lajmet për ndeshjet që luhen në Shqipëri, plus kampionateve europiane apo botërore që zhvillohen dhe ne i transmetojmë ato.
Por unë jam një gazetar sportiv, që kam punën më shumë në terren dhe më duhet të flas e shkruaj për shumë sporte, veçmas lojërat me dorë, peshëngritja, boksi, atletika e shumë e shumë sporte të tjera. Ndeshja me Greqinë në vitin 2004 mbetet emocioni më i madh në jetën time, por besoj dhe i shumë shqiptarëve që përcollën atë duel futbollistik, kur skuadra helene vinte si kampione Europe, apo përballjet me Rusinë në Shkodër kur fituam 3-1 e plot ndeshje dhe kujtime të pashlyeshme që prodhon sporti.
Por po kaq emocione më kanë dhuruar ndeshjet dhe tituj kampion të djalit nga Bulqiza, Ismail Keta, që doli tri herë Kampion Bote në Kik- Boks, apo vëllai i tij Gjetan Keta, që sapo u shpall Kampion Europe në boks. Po kaq emocione me kanë dhuruar djemtë tanë peshëngritës dhe vajza, që kanë dalë Kampion Europe apo Bote, si Ilirjan Suli, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, Briken Calja, Romela Begaj, etj. Janë shumë dhe po të merrem me të gjitha rastet, nuk mjaftojnë në këtë intervistë.
Ç’rol ka pasur vendlindja juaj, Dibra, në formimin dhe karrierën tuaj?
Jam ndjerë gjithnjë krenar me vendlindjen time. Kjo falë asaj që unë sapo them nga jam, ndiej vlerësimin e emrit Dibër nga personi me të cilin flas, apo grupi i njerëzve me të cilët jam. Natyrisht, ky respekt dhe vlerësim është një shtysë më tepër në pasionin dhe profesionin tim dhe secilit nga ne.
Kultura, tradita, vlerat dhe shumë elementë të rëndësishëm të zonës tonë, kanë qenë një motiv për të qenë gjithnjë kërkues ndaj vetes dhe vlerësues ndaj të tjerëve.
Kush ju ka frymëzuar në rininë tuaj? Po sot?
Në jetë kam qenë gjithnjë optimist dhe e kam parë jetën si një mundësi dhe shans që të jepet për të treguar sa vlen dhe çfarë di të bësh. Frymëzimi im ka qenë fakti që kam punuar me brezat e rinj, por që në fakt ka nisur që kur isha nxënës, sepse isha shumë aktiv dhe merresha vetë me shumë sporte.
Ky pasion më shoqëron edhe sot, kur po afrohem tek të 50-at, por që ndjehem vërtet shumë i ri. Sporti ka qenë tregues për ecurinë time, pasi jam munduar të jem sinkron më të.
Ndërkaq që profesioni i gazetarit, më dha një mundësi ideale për të njohur shumë njerëz dhe për të bërë shumë miq. Kjo më bën të ndjehem shumë mirë…
Ju shohim shpesh të mbështesni sportistët, sidomos të rinjtë, por më shumë i pasionuar dukeni kur mbështesni sportistët dibranë? Kujtojmë në këtë rast vëllezërit kampionë Keta, por jo vetëm. Kjo mbështetje mediatike ndodh për shkak se jeni dibran apo ka arsye të tjera?

Unë nuk mbështes vetëm sportistët, por më shumë mbështes vlerat sportive dhe kombëtare. Ju përmendet rastin e vëllezërve Keta, por janë dhjetëra e qindra djem e vajza që jam munduar t’i promovoj. Unë, njerëz të tillë, i kam parë jo thjesht si sportistë që arrijnë rezultate, apo fitojnë një trofe, por si ambasadorë të vlerave tona kombëtare. Atë që bën sportisti, nuk e bën as politika, askush tjetër. Vëllezërit Keta, unë s’i kam parë si dibranë, por si shqiptarë dinjitozë, si djem të guximshëm, që në mes të Gjermanisë, ngrenë flamurin shqiptar dhe flasin shqip në mes të ringut, duke falënderuar vendin që i lindi dhe rriti. Të tillë njerëz nuk duhen promovuar dhe mbështetur vetëm nga ne, gazetarët, por së pari nga shteti dhe gjithë opinioni sportiv dhe qytetar.
Klubi Sportiv “Korabi” (futboll meshkuj, volejboll femra) nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm. Pse ndodh kjo, në këndvështrimin e një gazetari sportiv?
Sporti në Shqipëri dhe kudo ka lidhje me ekonominë dhe financat. Një sport i suksesshëm nuk mund të bëhet vetëm me dëshirë apo pasion, por do mbështetje financiare. “Kukësi” deri dje nuk njihej fare në futboll, por u desh të mblidheshin bashkë të gjithë biznesmenët e këtij qyteti në Tiranë dhe rrethe dhe ja ku është “Kukësi” sot, ka kaluar ture europiane dhe vazhdon të mbetet në elitën e futbollit shqiptar në Kategorinë Superiore.
Në Dibër, për fat të keq, kjo nuk ndodh. Para disa vitesh mora nismën dhe mblodha 20 biznesmenë dibranë në Tiranë, vendosëm edhe piketat, por duhej edhe vullneti i Bashkisë dhe Klubit, sepse kjo “flakë” u shua shpejt për fat të keq. Ndoshta është koha dhe vendi për t’u bërë tani, sepse më vjen keq, por po shuhet tradita e bukur sportive në këto sporte ne Dibër. Vërtet më dhemb “Korabi” dhe sporti dibran. Para disa vitesh, me disa miq ndihmuam për 70 vjetorin e klubit “Korabi”, ku edhe u dekoruan disa prej korifejve të sportit atje. Kjo duhet të vazhdojë…
E kemi ndjekur me interes ecurinë e mbesës suaj, Ambra, forca e së cilës u kthye në frymëzim për gjithë shqiptarët si dhe për mjekët gjermanë, të cilët morën përsipër kurimin e saj pa pagesë. Duke i uruar shërim sa më të shpejtë Ambrës, duam t’ju pyesim juve, si qe e gjithë kjo eksperiencë për ju?

Po bëhet një vit që mbesa ime Ambra ndodhet në spital në Mynih të Gjermanisë, falë vëllezërve Keta, të cilët kanë bërë maksimumin për jetën e saj dhe dua t’i falënderoj nga zemra. Por unë u jam mirënjohës edhe mjaft njerëzve të tjerë, miq, të njohur, por edhe jo të tillë, të cilët u solidarizuan me dhimbjen tonë dhe familjes, për të mbështetur edhe financiarisht mbesën time 17- vjeçare që vuan nga tumori i fshehtë. Ka qenë një rast ku unë, përmes dhimbjes, gjeta edhe lumturinë, gjeta shumë humanistë, njerëz të panjohur që m’u bënë familjarë, gjeta një popull që na mbështeti dhe një komb si Gjermania që vuri dorën në zemër. Përmes rastit të Ambrës ne bëmë miq kudo, brenda dhe jashtë vendit. Unë përmes këtij rasti, mësova shumë për Dibrën që ishte pararoja, Shkodrën, Dibrën e Madhe, Tiranën, Durrësin, por edhe mjaft qytete të tjera. Dhimbja, nuk thonë kot, që ndahet me të tjerët, ndërsa gëzimi edhe me veten.
Dua që përmes kësaj interviste t’ju shpreh mirënjohjen time të madhe të gjithë atyre që na kanë ndihmuar dhe na kanë lehtësuar këtë dhimbje, që uroj të mbyllet sa më parë dhe Ambra të rikthehet tek ne fituese…
A e keni trashëguar tek ndonjëra nga vajzat pasionin për sportin apo i keni lënë të lira në zgjedhjet e tyre?
Vajzat janë të lira të zgjedhin dhe kurrë s’kam dashur t’ju imponoj atyre profesionin që do të zgjedhin në jetë. E madhja, Lunada, është studente për Ekonomik në vitin e fundit, por drejton dhe moderon spektakle. E dyta, Blerta, ka shumë pasion fotografinë dhe është në vitin e fundit të gjimnazit “Qemal Stafa”, ndërsa e vogla Rina, ka pasion sportin, volejbollin dhe modën dhe është nxënëse në klasën e 9-të të shkollës “Kongresi I Manastirit” në Tiranë.

Vitin e kaluar ju keni themeluar edhe Shoqatën “Media & Sport”. Çfarë përfaqëson dhe synon kjo shoqatë?
Qëllimi im ka qenë që përmes kësaj shoqate të kem një mundësi më shumë për të promovuar vlera dhe njerëz që meritojnë të nderohen. Duke pasur një shoqatë, ke një mundësi institucionale të bësh nderimin dhe promovimin e sportit dhe njerëzve që vlejnë, të dekorosh ose çmosh dikë. Pra, është një mundësi më shumë për të bashkëpunuar, për të vlerësuar dhe shuar harresën për emra legjendë të sportit, por edhe ata që janë në aktivitet sot. Organizime të tilla janë një mundësi ideale, kur kujtoj rastin e kupës së mbretit të futbollit shqiptar, “Panajot Pano”. Që nga viti që shkoi, ky organizim ka logon e “Media & Sport”.
Çfarë do t’u thoshit të rinjve që aspirojnë të ndjekin hapat tuaj?
Ju them që kurrë të mos dorëzohen përpara vështirësive të jetës, të jenë optimistë dhe të kërkojnë më shumë tek vetja dhe të tjerët. Unë në këtë mision dhe profesion të pasionit të gazetarisë kam mësuar aq shumë, saqë 10 universitete s’do ta bënin bashkë. Puna me njerëzit, bashkëpunimi dhe raportet që vendos, kanë shumë rëndësi në jetë.
Qëllimet që vihen, kërkojnë impenjim, kërkojnë përgjegjësi dhe vetëmohim të kohës, por edhe energji që duhet ta. shoqërojnë secilin nga ne në jetë.
Shënim: Intervista me gazetarin sportiv, dibranin Defrim Methasani, është realizuar në kuadër të bashkëpunimit të gazetës “Rruga e Arbërit” me faqen sociale në FB “Peshkopi,Dibër,Albania”. Ajo do botohet edhe në faqen në internet http: peshkopidiberalbania.wix.com.
Bashkëpunimi synon të bëjë publike me anë të intervistave sukseset e dibranëve në fusha të ndryshme të jetës.
Comments