Takimi i grupit lobues për Rrugën e Arbërit me Kryetarin e Kuvendit, z. Ilir Meta.
- peshkopidiberalbania
- May 6, 2014
- 2 min read
Më 6 maj 2014, ora 11:00, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, priti në një takim zyrtar grupin lobues për Rrugën e Arbërit: Dr Gëzim Alpion, Znj Erisa Saraçi dhe z. Bujar Karoshi. Në takim, pas prezantimit shkurtimisht të ecurisë së projektit të Rrugës së Arbërit nga delegacioni i intelektualëve dibranë, z. Meta i siguroi ata per perkrahjen e tyre te plote si Kryetar i Kuvendit dhe të institucionit që ai përfaqëson. z. Meta përmendi përpjekjet që po bën qeveria për të gjetur fonde dhe sugjeroi se më shumë detaje për anën financiare të projektit mund të mësojnë nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës. Ndër të tjera Dr Alpion tha: "Ne kemi ardhur të shprehim edhe një shqetësim që ndanë me ne qytetarët e Peshkopisë më 5 maj, shqetësim të cilin e ndajmë edhe ne si intelektualë. Dibranët janë të mendimit se Dibra është lënë pas dore jo vetëm në 23 vitet e fundit po gjatë gjithë historisë 100 vjeçare të shtetit shqiptar. Dibra vazhdon ta vuajë copëtimin e Shqipërisë më 1913 më shumë se çdo zonë tjetër. Gjithashtu kemi vënë re se në takimet me përfaqësues të pushtetit lokal në Peshkopi (Kryetari Bashkisë dhe Prefekti i Qarkut të Dibrës) si dhe nga përfaqësuesit e pushtetit lokal në Dibër të Madhe, që erdhën qëllimisht në Peshkopi për të ndjekur aktivitetin tonë, mesazhi që morëm prej tyre është se për Rrugën e Arbërit dibranët paraqesin një front të bashkuar pavarësisht nga animet politike." Z. Meta përmendi që është i vetdijshëm që premtimet e bëra për rrugët nuk janë mbajtur siç duhet në të shkuarën. z. Meta u interesua veçanërisht se sa vetë e kanë nënshkruar peticionin dhe numri mbi 6000 nënshkrime iu duk mbështetje e mirë. Kur ai mësoi se grupi lobues akoma nuk ka marrë një përgjigje të qartë nga zyra e Kryeministrit për kërkesën e tyre për një takim për të dorëzuar peticionin formalisht, z. Meta u shpreh se sigurisht z.Edi Rama i duhet të mendojë mirë para se të japë një përgjigje zyrtare të drejtpërdrejtë. Në takim, z. Karoshi paraqiti historikun e Rrugës së Arbërit dhe shprehu kërkesën që ky projekt të ndiqet rigorozisht në mënyrë që ai të zbatohet pa patur devijime dëmtuese për prespektivën e rrugës, siç ka patur deri tani. Znj. Saraçi theksoi rolin e grave në lobimin për Rrugën e Arbërit dhe kërkesën e të rinjve që ndërtimi i kësaj rruge të mos shtyhet më, pasi e ardhmja e tyre lidhet ngushtë me zhvillimin infrastrukturor të Dibrës. Duke vlerësuar natyrën në të cilën është hartuar dhe drejtuar peticioni që në fillim, z. Meta theksoi rolin e rëndësishëm që shoqëria civile mund dhe duhet të luajë në Shqipëri. Z. Meta në fund i inkurajoi pjesëtarët e grupit të lobimit të jenë në kontakt me të dhe institucionin e Kuvendit për ecurinë e peticionit. Takimi me z. Meta u zhvillua në një frymë konstruktive dhe miqësore. Pas përfundimit të takimit me z. Meta, po më 6 Maj 2014 në orën 14:00, delegacioni i intelektualëve dibranë u prit nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto.
/PDA
コメント