Heronjtë e pa-parashikuar të Zvicrës në Kupën e Botës.
- peshkopidiberalbania
- Jul 1, 2014
- 4 min read
Nga Imogen Foulkes
Heroi më i famshëm historik i Zvicrës është, sigurisht, Vilhelm Teli. Së fundmi një tjetër i quajtur Roger Federer i është bashkuar rrethit të famës.
Gjithsesi, pak mund ta kishin parashikuar se heroi më i ri që do të bënte krenare zemrat e zvicerianëve do quhej Xherdan Shaqiri – për të mos përmendur shokët e tij të skuadrës, Valon Behrami, Granit Xhaka, Haris Seferovic, apo Admir Mehmedi.
Të gjithë këta janë lojtarë të skuadrës kombëtare zvicieriane të fubollit, e cila renditet e gjashta në botë. Ata janë të gjithë myslimanë, në një vend që së fundmi ka votuar të ndalojë minaret. Dhe ata janë të gjithë emigrantë ose fëmijë emigrantësh në Zvicër, ku votuesit në shkurt të këtij viti vendosën për kuota të reja shumë të kufizuara për emigracionin.
Vetëm 20 vjet më parë, kur Zvicra luajti në Kupën e Botës në ShBA, emrat e lojtarëve të saj tingëllonin disi ndryshe: Marc Hottinger, Alain Sutter, Stephane Chapuisat, Jurg Studer. Por pse kanë ndryshuar kaq shumë gjërat?
Në vitet ’70 e ’80, Zvicra rekrutoi shumë punëtorë nga ajo që atëherë quhej Jugosllavia. Ideja ishtë sigurisht që vetëm burrat do të vinin dhe pasi puna e tyre të përfundonte ata do ktheheshin në shtëpitë e tyre. Por plani i mirëstudiuar nga industria zviceriane nuk parashikoi atë që ndodhi në Jugosllavi, luftën civile në Bosnje, ku Seferovic ka lindur, apo krizën në Kosovë, që është vendi i origjinës së Shaqirit, Xhakës e Berhamit. Shumë nga ata punëtorë të përkohshëm u kthyen në të përhershëm; atyre që iu dha statusi i refugjatëve i tërhoqën edhe familjet e tyre me vete.
Sot ka afro gjysëm milioni njerëz me origjinë ballkanase në Zvicër. Dhe në Zvicrën prej 8 milion banorësh, gati 2 milionë janë të huaj. Ndoshta nuk duhet të na vijë çudi që ka kaq shumë kombe të përfaqësuar në kombëtaren zviceriane.
Paragjykim dhe diskriminim
Gjithsesi shumë zvicerianë ende nuk kanë arritur ta pranojnë këtë ndryshim demografik. Jeta nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për të rinjtë e shpërngulur nga shtëpitë e tyre prej luftës, duke e bërë rrugën e tyre në një vend të ri, shpeshherë, jo të mirëpritur.
Kur Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Valon Behrami po rriteshin në Zvicër, u bë publik një poster nga Partia Popullore e majtë zviceriane. Aty shkruhej thjesht “Kosovo-Albaner Nein”, ose “Shqiptarët e Kosovës, Jo”. Ishte një fushatë kundër investimit të fondeve publike në qendrat e emigrantëve nga Kosova, dhe me siguri nuk i ka bërë të ndihen mirë yjet e ardhshëm të fubollit zvicerian.
Gjatë dekadës së fundit, fushata nga Partia Popullore zviceriane kundër emigrimit kanë qenë të vazhdueshme dhe kanë patur në qendër kryesisht shqiptarët e Kosovës. Posterat nga kjo parti iua hidhnin fajin atyre për çdo gjë, që nga rritja e krimeve, shpërndarja e drogës dhe deri tek rënia e standardeve të edukimit. Megjithëse shumë zvicerianë u shprehën të turpëruar nga kjo fushatë, është fakt që shumë nga ta e mbështesin këtë parti dhe kanë votuar për të kufizuar emigracionin, si dhe minaret e xhamive.
Ka gjithashtu tregues të një diskriminimi sistematik. Studime nga Komisioni Zvicerian mbi Racizmin kanë treguar se të rinjtë me mbiemra ballkanas kanë shumë më pak shanse për t’u punësuar se sa ata që kanë mbiemër zvicerian. Kaq e fortë ka qenë kjë diferencë sa Zyrihu u detyrua të zbatonte një rregull që iu klrkonte punëdhënësve të vlerësonin aplikimet për pune pa e ditur emrin e kandidatëve.
Kështu që kur skuadra zviceriane e futbollit për Brazil 2014 u prezantua, shumë njerëz menduan se skuadra shumë-kulturore ishte një sukses, të paktën sa i përket integrimit. Shpresa kishte gjithashtu për më një lojë më aktive të kombëtares, e cila në të kaluarën ishte akuzuar shpesh se bënte lojë të mërzitshme.
Si një yll në ngjitje, Shaqiri u pyet për origjinën e tij.
“Jam shqiptar i Kosovës, - tha ai, duke identifikuar veten e tij se i përkiste një grupi që ai e dinte shumë mirë se ishte demonizuar nga disa seksione të shoqërisë zviceriane.
Së fundmi ai u pyet se si ei festonte Krishtlindjen.
“Unë jam mysliman, - u përgjigj ai me një buzëqeshje. “Kështu që ne nuk e festojmë aq shumë Krishtlindjen, por motra ime e vogël e ka me shumë qejf pemën e Krishtlindjes, kështu që ne e bëjmë një çdo herë.”
Ndërkohë Granit Xhaka tha për një gazetë zviceriane: “Ne luajmë për Zvicrën dhe jemi krenarë që japim çdo gjë për të.” Kur u pyet se ç’muzikë do të dëgjonte në autobuz gjatë Kampionatit të Futbollit, ai u përgjigj: “Muzikë shqiptare.”
Edhe lojtarët e tjerë me origjinë të huaj preferojnë të dëgjojnë muzikë nga vendi i tyre.
Mesazhi është shumë i qartë: ne jemi këtu, jemi zvicerianë, jemi krenarë që luajmë për Zvicrën, por mos na kërkoni të braktisim kulturën tonë.
Pavarësisht se të gjithë kanë shtetësi zviceriane, ata i janë besnikë vendit të tyre të origjinës: Shaqiri dhe Xhaka shkruajnë shqip në Twitter. Të dy janë shumë krenarë për Kosovën dhe kanë shpesh foto me flamurin e saj, apo me flamurin me shqiponjën dy-krenare të Shqipërisë.
Kur skuadra nisi lojën e parë në Brazil, kritikat nisën shpejt dhe pa takt: “A dinë këta djem ta këndojnë himnin kombëtar zvicerian?”, tha një komentator. Por kritikat avulluan shpejt kur Shaqiri bëri një gol kundër Honduras, gol i cili i siguroi Zvicërs të hynte në 16-she.
Çfarëdo të ndodhë në futboll, kjo skuadër do i ketë dërguar një mesazh të mirë miqve të tyre zvicerianë.
Shaqiri, Benaglio, Inler, Rodriguez, Drmic, Seferovic, Xhaka – ky është tingulli i Zvicrës së shekullit të 21, ku klubet ballkanase do ia kalojnë atyre tekno dhe haus, ku në supermarket do ketë birrë Turke, biskota serbe dhe pastërmaja portugeze do jenë pranë foundesë dhe Ovaltinës zviceriane.
Dhe nëse Shaqiri do t’i shënojë gol Argjentinës, ai do ta bëjë me tre flamurë të vegjël të qëndisur në këpucët e tij: zvicerianin, kosovarin dhe shqiptarin. Pra goli do të jetë zvicerian...
Përktheu: PDA
Klikoni këtu për artikullin origjinal në BBC News.
Komentarze