Gëzim Alpion në emisionin "Mengjes Express" me Eva Idrizllarin
- peshkopidiberalbania
- May 13, 2014
- 2 min read
Më 7 maj 2014, Dr Gëzim Alpion qe i ftuar nga Eva Idrizllari në emisionin "Mëngjes Express" në OraNews, ku foli për karrierën e tij akademike, punën e tij si studiues dhe shkrimtar, si dhe për peticionin për Rrugën e Arbërit.
Znj. Idrizllari e prezantoi atë si shqiptar intelektual, akademik dhe shkrimtar, që ka ndërtuar karrierën e tij në Birmingham të Anglisë dhe që është një shembull i vlefshëm për të gjithë.
Pas prezantimit të ecurisë së tij të suksesshme akademike në Kairo, Durham dhe së fundmi në Birmingham, ai e zhvendosi bisedën me modesti nga karriera e tij tek thelbi i vizitës së tij në Shqipëri, që ishte lobimi për ndërtimin e Rrugës së Arbërit nëpërmjet peticionit.
Alpion: "Peticioni është një kërkesë intelektuale, që tani është bërë një peticion mbarëpopullor madje edhe ndërkombëtar megjithëse është një rrugë vetëm 70 km, nëpërmjet të cilit i kërkohet qeverisë Rama ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Peticioni ka edhe aspektin e tij simbolik, duke patur parasysh se fizibiliteti i Rrugës së Arbërit është aprovuar që në vitin 2005 dhe rëndësinë e madhe që ka kjo rrugë për të trasportuar kromin e Bulqizës, Rruga e Arbërit do të lidhë për herë të parë zemrën e Shqipërisë, Dibrën, e cila është e ndarë më dysh që në 1913-ën, me Maqedoninë, Kosovën, Bullgarinë, etj. Pra rëndësia e saj shtrihet përtej kufijve dhe është një projekt ndërkombëtar.
Ne inkurajojmë përfaqësuesit e qeverisë që ta shikojnë këtë nismë intelektuale si një mundësi për krijimin e një dialogu me intelektualët, që përfaqësojnë shoqërinë civile dhe janë një opozitë e ndershme dhe besnike. Shoqëria civile në Shqipëri është në një fazë embrionale dhe ne po japim një shembull modest të këtij emancipimi dhe më vjen mirë që ky shembull vjen nga Dibra."
Ai foli me hollësi edhe për personazhin që qëndron në qendër të studimeve të tij, Nënë Terezën, duke e quajtur atë një figurë humaniste,e cila nderon jo vetëm Shqipërinë por edhe gjithë Ballkanin.
Ai foli për librin më të ri që po përgatit mbi figurën kontroverse të Nënë Terezës, ku do zbulohen të pathëna mbi jetën dhe bindjet e saj.
/PDA
コメント