top of page
Search

Takimi i grupit lobues për Rrugën e Arbërit me Presidentin e Republikës, z. Bujar Nishani

  • Writer: peshkopidiberalbania
    peshkopidiberalbania
  • May 7, 2014
  • 3 min read

Më 7 maj 2014, ora 11:00, Presidenti i Republikës ShTZ Bujar Nishani priti në një takim zyrtar grupin lobues për Rrugën e Arbërit: Dr Gëzim Alpion, Znj. Erisa Saraçi dhe z. Bujar Karoshi.


Në takim, pas prezantimit shkurtimisht të ecurisë së projektit të Rrugës së Arbërit nga delegacioni i intelektualëve dibranë, Presidenti vlerësoi nismën e tyre për të lobuar nëpërmjet peticionit për ndërtimin e Rrugës së Arbërit dhe për zhvillimin e zonës së Dibrës.


"Rruga e Arbërit nuk ka asgjë më pak se sa ajo që sot mban emrin 'Rruga e Kombit' për nga rëndësia kombëtare, duke qenë se sjell më pranë nesh shqiptarët e Maqedonisë.

Kjo rrugë duhet të ndërtohet dhe këtu nuk duhet të shtrohet më çështja e fizibilitetit. Është apo jo fizibël Rruga e Arbërit, rëndësia e kësaj vepre nuk duhet të matet me aspektin ekonomik të saj. Kjo vepër ka vlera simbolike jo vetëm për zonën e Dibrës por sjell pranë njëra-tjetrës disa zona në Ballkan. Unë rradhën e fundit në Peshkopi shkova me helikopter, pasi kur je president e ke këtë mundësi, megjithatë po qe se do të ishte ndërtuar Rruga e Arbërit do të kisha kënaqësi të udhëtoja me makinë. Duke udhëtuar me helikoter e kupton më shumë se sa e shkurtër është distanca nga Tirana në Dibër. Unë në rolin tim ju siguroj se mbështetja ime nuk do të mungojë dhe se në çdo rast që të kem mundësi do të shprehem në favor të ndërtimit të saj. Ju keni bërë shumë mirë që keni bërë peticionin si shoqëri civile dhe më ka bërë përshtypje gjuha me të cilën ju keni hartuar kërkesën tuaj që nga letra e parë që më dërguat Gëzim. Kur kam qenë në pozitën e ministrit, e kam ndjerë që ne na duhet ndihma e shoqërisë civile dhe unë ju përgëzoj për inicitiavën pasi kështu veprojmë më mirë në shërbim të vendit. Ju jeni të mirëpritur të vini përsëri te unë dhe është mirë të mbetemi në kontakt." - tha z. Nishani

"Ne kemi ardhur të shprehim edhe një shqetësim që ndanë me ne qytetarët e Peshkopisë më 5 maj, shqetësim të cilin e ndajmë edhe ne si intelektualë. Dibranët janë të mendimit se Dibra është lënë pas dore jo vetëm në 23 vitet e fundit po gjatë gjithë historisë 100 vjeçare të shtetit shqiptar. Dibra vazhdon ta vuajë copëtimin e Shqipërisë më 1913 më shumë se çdo zonë tjetër. Gjithashtu kemi vënë re se në takimet me përfaqësues të pushtetit lokal në Peshkopi (Kryetari Bashkisë dhe Prefekti i Qarkut të Dibrës) si dhe nga përfaqësuesit e pushtetit lokal në Dibër të Madhe, që erdhën qëllimisht në Peshkopi për të ndjekur aktivitetin tonë, mesazhi që morëm prej tyre është se për Rrugën e Arbërit dibranët paraqesin një front të bashkuar pavarësisht nga animet politike." - u shpreh z. Alpion duke përcjellë shqetësimet e marra nga qytetarët në Peshkopi.


Në takim, z. Karoshi paraqiti historikun e Rrugës së Arbërit dhe shprehu kërkesën që ky projekt të ndiqet rigorozisht në mënyrë që ai të zbatohet pa patur devijime dëmtuese për prespektivën e rrugës, siç ka patur deri tani.


Znj. Saraçi theksoi rolin e grave në lobimin për Rrugën e Arbërit dhe kërkesën e të rinjve që ndërtimi i kësaj rruge të mos shtyhet më, pasi e ardhmja e tyre lidhet ngushtë me zhvillimin infrastrukturor të Dibrës.


"Jam unë që ju falenderoj juve për këtë nismë intelektuale, jo-politike dhe mendoj se duhet të ketë më shumë të tilla në Shqipëri. Ju e dini se zbatimi i projekteve të tillë i kalon kompetecat e Presidentit dhe i takon egzekutivit të reagojë. Gjithsesi, unë ju garantoj mbështetjen time si qytetar në rradhë të parë dhe sigurisht edhe si President i vendit."- u shpreh z. Nishani.


Takimi konstruktiv dhe i ngrohtë me Presidentin e Republikës zgjati rreth 30 minuta.


/PDA

 
 
 

Comments


Çfarë mendon - Komento

© 2023 by Success Consulting. Proudly created with Wix.com

  • Wix Facebook page
  • Twitter Classic
  • Google Classic
bottom of page