Isli Hoxha, aktori i ri që premton shumë dhe rrugëtimi i tij Dibër-Imperia-Manhatan
- peshkopidiberalbania
- Apr 23, 2014
- 2 min read
Isli Hoxha, një 17-vjeçar tepër i talentuar në aktrim, nuk i është dashur shumë për të rënë në sy. Mediat italiane së fundmi i kanë kushtuar vëmendje Islit, si një talent që do ndjekë ëndrrën amerikane drejt suksesit të garantuar.
Ashtu si çdo familje shqiptarësh, edhe familja e Islit, emigroi nga Dibra në Itali (Imperia-Liguria) për një jetë më të mirë. Babai i tij, Agimi, nga një punëtor i thjeshtë arriti që të bëhej një sipërmarrës biznesi, ndërsa e ëma Bukuria punon si përgjegjëse në një rrobaqepësi. Isli ka edhe një motër të vogël, e cila është vetëm 9 vjeçe.
“Historia e familjes Hoxha mund të konsiderohet si tepër me fat, po të krahasohet me vështirësitë që kanë kaluar dhe po kalojnë familjet shqiptare në Itali”, -shkruan “Riviera.it”, në reportazhin kushtuar talentit shqiptar.
“Por Isli nuk është i vetmi shqiptar që arriti të realizonte ëndrrën e tij për të ndjekur shkollën e filmit. Shumë shqiptarë të tjerë kanë mundur t’ia dalin mbanë më së miri. Një ndër ata është edhe i madhi Jim Belushi, një aktor i madh me një kapacitet të pakrahasueshëm, një nga produktet më të mira që ka nxjerrë Tirana dhe që është rritur në SHBA”, -vazhdon më tej reportazhi.
I njohur në shkollën e tij të aktrimit "Lo spazio vuoto" , ai ka ndërmarrë disa aktivitete recitimi. Pasionin e tij ai e pasqyron edhe në kanalin e tij personal në Youtube.
Së fundmi, i ndihmuar edhe nga xhaxhai i tij që jeton në ShBA, ai ka udhëtuar për në Manhatan, ku ka nisur shkollën prestigjoze “l'Actor Studio”, një nga shkollat më të mëdha të filmit botëror, nga ku kanë dalë emra të mëdhenj si Robert De Niro apo Al Pacino.
Comentários