Kështjella e Grezhdanit-më e madhja në Ballkan
- peshkopidiberalbania
- Jan 21, 2013
- 4 min read
Kalaja e Grazhdanit në Dibër është një nga kalatë më të mëdha në vendin tonë, madje dhe në Ballkan.
Vendin kryesor në këtë areal, i cili rrethohet nga 18 kështjella, e zë qyteti i Grazhdanit, për vetë madhësinë dhe problematikën e komplikuar, që ai përmban në vetvete. Me një sipërfaqe prej 34 ha dhe mure rrethuese me perimetër 3000 m, ai radhitet në qytetet më të mëdha për antikitetin e vonë në Shqipëri.
Kërkimet e filluara në këtë qendër në vitet 2000 e në vazhdim kanë nxjerrë në dritë elemente të rëndësishëm arkitektonike të panjohur më parë në botimet e dhëna për këtë qendër, të cilat konsistojnë në ndryshimet planimetrike të formave ndërtimore të hyrjeve, kullave dhe të linjës së përgjithshme të fortifikimit, duke krijuar kështu një pamje të ndryshme si për planimetrinë e qytetit, ashtu edhe për elementë të tjerë arkitektonikë, që haset pothuajse në të gjitha kështjellat fushore ushtarake si në Skampis, rruga 'Egnatia', Ulpianë, rruga 'Lissus' - Naissus etj., e njohur deri në periudhën e Konstandinit, datuar në shek. IV.
Grazhdani është një kështjellë që ndodhet 11 km në juglindje të qytetit të Peshkopisë, në mes të dy përrenjve, Grazhdanit në Veriperëndim të qytetit me të njëjtit emër, si dhe Maqellarës në Jugperëndim, të cilët derdhen në lumin Drini i Zi, ndërtuar në një terren kodrinor, 525-600 metër mbi nivelin e detit. Ka një pozitë gjeostrategjike mjaft të rëndësishme në pellgun e Drinit të Zi, veçanërisht për rrugët tregtare-ushtarake që lidhen provincat e Epirit të Ri (Adriatikun), Dardanisë (Kosovë) dhe Maqedonisë II, që realizoheshin nga Via Egnatia dhe Lissus - Naissus.
Për vlerat historike dhe arkeologjike, Kështjella e Grazhdanit është shpallur monument kulture që në vitin 1974. Përreth kështjellës ndodhen disa monumente të tjera të kësaj periudhe, si Kalaja e Gradecit, Videni, Gradishta e Peshkopisë, qyteza e Topojanit etj. Kjo qendër bën pjesë në zonën e Maqellarës, e cila lidh Maqedoninë me Dibrën dhe Kosovën. Muret rrethuese janë rreth 3.5 m të gjera, kanë perimetër afro 3000 m, janë të përforcuar nga 42 kulla të tipave katrore, drejtkëndore dhe freskore, si dhe kanë tri porta të tipit "propognaculum", fortifikuar nga kulla masive në formë U-je, karakteristikë për një shtrirje kohore që nuk e kalon shek. IV e.s.
---
Nëse do ta matnim me treguesit e rëndësisë së vlerave historike, prej kohësh do të ishte renditur ndër monumentet më të rëndësishme në vend dhe për këtë arsye do të numërohej si më e vizitueshmja. Bëhet fjalë për një nga kështjellat më të famshme të veriut, atë të Grazhdinit në Dibër, ku specialistët kanë dhënë alarmin e shkatërrimit sistematik, si dhe rrënimin e mureve rrethues. Kështjella e Grazhdanit në Dibër është një prej monumenteve me një rol të madh historik, gjeo-strategjik, që në periudhën e vonë romake përfaqëson një ndërtim të shekullit IV, më të madhen në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.
Ndonëse në këtë vend që prej vitit 1999, kur janë kryer gërmime arkeologjike, nuk ka shkelur më njeri për t’ia kthyer “prestigjin” kalasë dibrane. Vetëm para pak kohësh një projekt po merr udhë. Është ambasada amerikane, e cila ka dhuruar një grant për ndërhyrje në kështjellën e Grazhdanit. Në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë ky grant do të shkojë në zbatim të një plan projekti, për të kryer ndërhyrje të menjëhershme konservuese në këtë kështjellë, me qëllim shpëtimin e saj, duke pretenduar pas kësaj edhe shndërrimin në një zonë arkeologjike turistike në Dibër e më gjerë.
“Nisur nga karakteristikat e veçanta që paraqet kështjella e Grazhdanit për historinë e Shqipërisë dhe të Ballkanit propozojmë ndërhyrje konservuese dhe arkeologjike në disa pika të këtij monumenti. Kërkimet arkeologjike, të ndërmarra që nga viti 1999 dhe në vazhdim kanë sjellë si domosdoshmëri konservimin e mureve rrethuese, portave dhe kullave. Ato po i nënshtrohen një shkatërrimi sistematik nga mosndërhyrja në kohë, duke zhdukur çdo ditë vlerat historike dhe turistike të këtij monumenti unikal”, - shprehet përgjegjësi i Departamentit të Antikitetit të Vonë në Institutin e Arkeologjisë, Luan Përzhita. Ai vijon me dy nga pikat më të rëndësishme ku do të përqendrohet ndërhyrja. Sipas tij, plani parashikon pjesën veriore, ku ndodhen një linjë muri 1200 metra lineare, tre kulla katrore dhe porta veriore, si dhe atë lindore në të cilën gjenden hyrja e pajisur me dy kulla me një sipërfaqe 850m/2. Po ashtu, aty ndodhet një prej kullave të shndërruar në kishën mesjetare, varreza mesjetare dhe kulla poligonale. Përzhita shton se ndërhyrjet konservuese do të vijojnë edhe në pastrimin nga bimësia dhe sistemimin e dherave, konservimit të kullave, pastrim nga bimësia dhe lirim nga dherat e kullës poligonale të anës lindore, fillimi i konservimit të kullës poligonale 80 m/2 të linjës lindore, me qëllim kthimin e saj në një simbol të madhështisë që ka pasur kjo qendër 1800 vjet më parë dhe më vonë në muze të kësaj qendre dhe rrethinës së saj. “Realizimi i projektit të mësipërm do të rriste aftësinë që Grezhdani të fillojë të marrë tiparet e një qendre antike të vizitueshme në verilindje të Shqipërisë me një histori të pasur rreth periudhës romake të vonë dhe asaj bizantine”, - thotë njëri nga përfaqësuesit e vetë projektit, Përzhita. Ai shton se nisur nga vlerat historike që përmban kështjella dhe kjo qendër arkitektonike, ndikon pozitivisht si për territorin ku ndodhet, por edhe për një hapësirë më të gjerë në kthimin e saj në një simbol të kulturës dhe trashëgimisë antike të këtij areali që është mbartëse vlerash dhe për zhvillimin turistik të zonës. “Rëndësia e kësaj qendre rritet po të merret parasysh se ajo ndodhet në zonat e brendshme malore, larg rrugëve bregdetare dhe përmban një arkitekturë, e cila mund të barazohet me ato të vendbanimeve të fortifikuara jo vetëm të Shqipërisë”, - thotë ai. Përzhita shprehet optimist mbi rezultatin që do të merret pas zhvillimit të infrastrukturës rrugore të Grazhdanit, që sipas tij, do të jetë vetëm 1.5 orë larg kryeqytetit, 0,5 orë larg Maqedonisë po ashtu shumë afër dhe Kosovës.
“Në qoftë se kjo qendër do të jetë gati nga ana konstruktive dhe estetiko-turistike, ajo do të jetë e aftë që të thithë vizitorë të shumtë të grupmoshave të ndryshme, pasi në afërsi të saj ndodhen dhe ujërat termale kurative, liqenet fantastike të Lurës. Po ashtu, kjo qendër do të shtrihet në të ardhmen buzë liqenit artificial, që do të krijohet nga hidrocentrali i Skavicës në Drinin e Zi.
Grezhdani mund të jetë joshës dhe për studentet e fakultetit të arkeologjisë dhe të historisë, të cilët mund të organizojnë praktikat e tyre mësimore, si dhe për nxënësit e shkollave”, - thekson ai.
Comments