Zotërimi i Gropajve të Dibrës në shekujt XIII-XIV
- peshkopidiberalbania
- Jan 14, 2013
- 7 min read
Pëllumb XHUFI
Është tashmë një fakt i njohur që fatet e trevës së Dibrës në shekujt e mesjetës së Mesme janë të lidhura ngushtë me ato të familjes së bujarëve Gropa të atyre anëve. Emri i tyre shfaqet më së pari në burimet historike në vitet ’70 të shekullit XIII. Atë kohë dëgjojmë të flitet për Pal Gropën, një personazh i shquar ndër bujarët shqiptarë, që mbante titullin e lartë “sevast” [1], që perandori i Bizantit ua akordonte zakonisht krerëve të grupeve etnike të huaja [2]. Nga një akt anzhuin i vitit 1273, rezulton se sevasti Pal Gropa zotëronte territore mjaft të gjera në viset e Dibrës. Akti në fjalë citon si prona të tij lokalitetet e Radikës së Madhe e Radikës së Vogël, Kobokishtës, një vend tjetër të quajtur Zaudigorica, Sirklanin, Krajën e Zesicën [3]. Vetëkuptohet që toponimet në fjalë janë deformuar nga shkruesi i huaj i aktit anzhuin. Megjithatë, ku me më tepër e ku me më pak, me aiguri ata mund të identifikohen me emra vendesh që jetojnë ende në krahinën e Dibrës.
Radika ka mbetur sot si emër i një lumi që zbret nga krahu lindor i qytetit të Dibrës e vjen e bashkohet me Drinin e Zi, paksa në jug të tij. Me siguri në mesjetë ekzistonte edhe një lokalitet me atë emër, siç ekzistonte një lokalitet me emrin Devoll, krahas lumit Devoll, apo qyteza Vrego që ishte buzë lumit me të njëjtin emër [4].
Vendin Kobokishte studiuesi austriak Th. Ippen e identifikon me njëfarë Kosoveci [5]. Ne na duket më e mundshme ta çojmë Kobokishtën e Pal Gropës në Klloboçishtën e sotme. Nga pikëpamja gjeografike, Klloboçishta ndodhet në afërsi të zotërimeve të tjera të Pal Gropës e lidhet në mënyrë të natyrshme me to.
Zaudigorica është me shumë gjasa Gjorica, diçka në perëndim të Dibrës.
Sirklani i dokumentit anzhuin është me siguri Zerqani [6].
Kraja i përgjigjet Krajkas së sotme, kurse Zessica, që sipas aktiti anzhuin të vitit 1273 ndodhej në luginën e një lumi, duhet të jetë Zepishta e sotme (Ippen mendon se bëhet fjalë për fshatin Sebishta [7]).
Sidoqoftë, duke pasur parasysh shpërndarjen gjeografike dhe rëndësinë e lokaliteteve të sipërpërmendura, rezulton se sevasti Pal Gropa të ketë qenë një pronar mjaft i madh. Pronarët e tjerë dibranë që përmenden para tij i përkasin me siguri një rangu më të ulët. Kështu, ishte njëfarë Tanush Gjini, që përmendet aty nga viti 1230, por që i humbi tokat e tij, madje u shndërrua në një bujkrob (paroikos) të rëndomtë[8]. Pronar më i rëndësishëm se i pari duhej të qe njëfarë Gjergj Skorra, që përmendet në një letër të kryepeshkopit të Ohrit, Dhimitër Komatiani më 1224 [9]. Ai mbiquhet aty si “shumë i shquari zoti Gjergj Skorra” (megalepifanestatos). Nëse tokat e Skorrës shtriheshin rreth fshatit Konjarë, ku akoma sot ka një fis me emrin “Skarra”, mund të themi se feudali Gjergj Skorra i vitit 1224 ishte një vasal i familjes Gropa. Në fakt, Konjara, si pozicion gjeografik shtrihet midis Dibrës-Klloboçishtës e Gjoricës, pra përfshihej në zotërimet e Gropajve.Në kohën kur Gropajt dalin në dritën e historisë, treva e Dibrës ishte bërë objekt konflikti mes Perandorisë Bizantine dhe Mbretërisë Serbe, që pas pushtimit të qendrave kryesore të Kosovës në fund të shek. XII, vazhdonte të zgjerohej në drejtim të jugut[10]. Historiani bizanti Georgios Akropolites rrëfen se aty nga vitet 1260, shqiptarët dibranë mundën të dëbojnë ushtritë bizantine dhe në të njëjtën kohë mbajtën larg nga viset e tyre inkursionet plaçkitëse të serbëve të Stefan Uroshit[11].
Megjithatë, gjendja ishte e ndërlikuar në vitet e mëvonshme, përderisa në vitin 1273 bujari Pal Gropa vendosi t’i vërë zotërimet e tij nën sovranitetin e mbretit Karl I Anzhu i Napolit. Në atë kohë ky ishte bërë zot i brezit bregdetar midis Durrësit e Vlorës (duke përfshirë Krujën) në sajë të marrëveshjeje të arritur në fillim të 1272 me bujarët shqiptarë nga shtëpitë Skurra, Blinishti, Jonima, Arianiti, Vrana, Suma, etj.[12] Emri i Gropajve mungon në këtë marrëveshje të parë me Anzhuinët: pikat e kësaj marrëveshjeje dihen. Bujarët shqiptarë njihnin Karlin I Anzhu si sovran të tyre, kurse ky i merrte në mbrojtjen e tij bujarët në fjalë e zotërimet e tyre, si dhe u garantonte njohjen e privilegjeve, titujve, si dhe zakoneve të tyre të vjetra[13]. Kemi pra një kontratë tipike feudale: kryezot-vasal, të cilët krerët shqiptarë e bënë të shtyrë nga rrethanat dhe pas hezitimeve të forta. Dihet se traktativat për të arritur në kompromisin e 1272-it zgjatën 5 vjet.
Plot një vit pas kësaj ngjarjeje, kreu i Dibrës, sevasti Pal Gropa, vendosi t’i drejtohej edhe ai Karlit Anzhu, me propozimin që zotërimet e tij të viheshin nën mbrojtjen e të parit dhe ai vetë të njihte për sovran mbretin anzhuin. S’ka dyshim që nëpërmjet një aleance me anzhuinët, Gropa kërkonte të siguronte një koperturë të jashtme kundër Serbëve e Bizantinëve. Anzhuinët ishin në marrëdhënie miqësore me të parët (vetë mbreti Stefan Urosh I ishte i martuar me një princeshë anzhuine) dhe në marrëdhënie lufte të hapur me të dytët, Bizantinët[14]. Në rast se Karli Anzhu do pranonte të vendoste lidhje vasaliteti me bujarin shqiptar, ai në bazë të së drejtës feudale obligohej automatikisht të ndërhynte pranë serbëve për të ndalur zbritjen e mëtejshme të tyre drejt Dibrës, si dhe të kontribuonte ushtarakisht për mbrojtjen e asaj treve nga Bizanti. Pal Gropa i kishte bërë pra, mirë llogaritë e tij, por mbreti anzhuin nuk e pranoi lojën. Në letrën e përgjigjes që i dërgonte Pal Gropës në maj të vitit 1273, Karli I Anzhu i bënte atij të ditur se nuk mund të lidhej me të, për sa kohë që zotërimet e Pal Gropës ishin në zonën e interesave të aleatëve të tij serbë[15].Shkurt, mbreti anzhuin preferoi marrëdhëniet me serbët ndaj atyre me bujarin shqiptar. Në fund të fundit, treva e Dibrës ishte larg interesave anzhuine, që përfshinin sidomos viset rrotull kështjellave anzhuine të Durrësit e Vlorës e që kontrollonin kalimin e rrugëve drejt Ohrit, Selanikut e Kostandinopojës, në rend të parë rrugën Egnatia[16].
Sidoqoftë, sevasti Pal Gropa bëri edhe një përpjekje të dytë për t’u marrë vesh me mbretin anzhuin. Në pranverë të vitit 1274 ai shkon të takohet në Durrës me mëkëmbësin e Karlit Anzhu, kapitenin Nardo de Tusi[17]. Interesante është se Pal Gropa paraqitet në këtë rast si përfaqësues jo thjesht i vetes, por i një grupi të tërë bujarësh shqiptarë. Fakti tregon se, përveç krerëve që u lidhën me Karlin Anzhu më 1272, kishte edhe një parti tjetër të bujarëve shqiptarë që ende nuk i kishin përcaktuar marrëdhëniet e tyre me mbretin anzhuin. Interesante është edhe se në këtë mision përfaaqësimi tek mëkëmbësi anzhuin i Durrësit, Pal Gropa shoqërohej edhe nga një tjetër fisnik me emër, Gjin Muzaka, atë kohë zot i zonave midis Beratit e Korçës[18]. Mesa duket, zë fill që nga ajo kohë miqësia e aleanca që këto dy familje feudale shqiptare do të ruajnë edhe në vitet e mëvonshme[19].
Takimi i Durrësit, siç mund ta quajmë, nuk solli ndonjë gjë të re në marrëdhëniet e pal Gropës, Gjin Muzakës e krerëve të tjerë shqiptarë që qëndronin pas tyre me mbretin Karl Anzhu. Është kuptimplotë fakti se menjëherë pas këtij takimi, në dokumentat anzhuine mbi Shqipërinë fillon të flitet për përleshje të armatosur midis “rebelëve” shqiptarë e ushtrive anzhuine[20]. Madje forcat e kundërshtarëve shqiptarë guxonin të sulmonin deri edhe kështjellat e Durrësit e Vlorës[21]. Pikërisht në një nga betejat e shumta që u bënë rreth Durrësit, Gjon Muzaka, shoqëruesi i Pal Gropës në bisedimet e Durrësit, u zu rob nga anzhuinët dhe u dërgua i lidhur me pranga nëq burgun e kështjellës së Brindizit në Itali[22]. Për t’u shënuar është se bashkë me Muzakën, në të njëjtënkështjellë ishin burgosur edhe bujarënga dyert Blinishti e Skurra, që i përkisnin partisë, po e quajmë, “filo-anzhuine” të vitit 1272[23]. Kjo tregon se rrethi armiqësor ndaj Karlit Anzhu ishte zgjeruar duke përfshirë edhe ish-vasalët e dikurshëm të tij.
Gjithsesi, marrëdhëniet e Gropajve me Anzhuinët mbetën edhe paskëtaj të ndera. Në vitin 1308 këta ia blatojnë hapur në një traktat dypalësh mbretit serb Urosh II viset e Dibrës, së bashku me Prilepin, Kërçovën e deri në veri të Ohrit[24]. Të njëjtën gjë kishte bërë më 1299perandori bizantin Andronik II Paleolog në përpjekje për të fituar miqësinë e mbretit serb[25]. Në atë kohë, si pikë më veriore e zotërimeve bizantine mbetej qyteti i Ohrit, në mbrojtje të të cilit ishte fisniku shqiptar Progon Skurra që, siç rezulton nga mbishkrimi i tij në kishën e shën Klementit në Ohër, ishte martuar me një mbesë të perandorit bizantin e mbante titullin e “megas-heteriarkut”[26].
Historia e Dibrës dhe e Gropajve dibranë në gjysmën e parë të shek.XIV, mbetet përgjithësisht e errët. Dimë megjithatë se pas vdekjes së car Stefan Dushanit e shembjes së perandorisë serbe të ngritur prej tij, zot i trevës së Dibrës përmendet zhupani i madh Andrea Gropa[27]. Ky arriti të presë edhe monedha të tij, gjë që tregon se kishte mundur të ngrejë një principatë mjaft të fuqishme[28]. Andrea ishte dhëndër i bujarit tjetër të fuqishëm shqiptar, despotit Andrea Muzaka të Beratit[29]. Në vitin 1271 Andrea Gropa shkoi në ndihmë të vjehrrit të tij në betejën për marrjen e Kosturit kundër princit serb Marko Krajleviçit[30]. Me thyerjen e këtij të fundit, jo vetëm Kosturi kaloi në duart e Muzakës, por edhe Ohri u mor prej Andrea Gropës. Ky fakt dëshmohet përveçse nga kronika e njohur e Gjon Muzakës[31], por edhe nga një mbishkrim i kishës së përmendur të shën Klementit i vitit 1378, ku Andrea Gropa cilësohet pikërisht zot i Ohrit[32].
Në përfundim do të donim të shtronim edhe një konsideratë tonën lidhur me një pjesëmarrje të mundshme të Gropajve dhe të dibranëve në betejën e njohur të Fushë-Kosovës më 1389. nga një njoftim i shkurtër i kronistit Gjon Muzaka, që shkruante në vitin 1510, ne dimë se vëllai i despotit Andrea Muzaka, Teodor Muzaka, mori pjesë bashkë me zotër të tjerë shqiptarë në betejën e Kosovës, ku edhe humbi jetën[33]. Tani, nga rasti i përmendur i betejës së Kosturit më 1371, si dhe nga të tjera raste[34], ne e dimë se sundimtarët e ndryshëm angazhoheshin me ushtri në territore larg zotërimeve të tyre, kur këtë ua impononte cilësia si vasal apo si farefis i feudalit të interesuar drejtpërsëdrejti nga një ngjarje e caktuar luftarake. Duke ditur se Muzakajt nuk kishin lidhje vasaliteti me asnjë nga zotërit e viseve të Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore, duke ditur gjithashtu se lidhje të hershme e aktuale, edhe martesore, ata i lidhnin me Gropajt e Dibrës e të Ohrit, na duket mëse e përligjur të supozohet se Muzakajt shkuan në betejën e Fushë-Kosovës të thirrur nga krushqit e miqtë e tyre të vjetër nga Dibra. Prania e Gropajve në Fushë-Kosovë duket pra, të ketë qenë një fakt mjaft i sigurtë.
(Pjesë nga libri "Dibra ne syte e te huajve" i Agron Tufës)
Comments